Rrumbullaku: Tituj nderi dhe 1311 shpërblime për garantimin e sigurisë së një sezoni të jashtëzakonshëm turistik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku theksoi sot në fjalën e mbajtur në takimin për sezonin turistik se angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë i veçantë dhe shumëdimensional.

Ai renditi disa arsye, e para nga të cilat ka të bëjë me fluksin e  jashtëzakonshëm të turistëve dhe pushuesve që zgjodhën vendin tonë që e cilësoi si tregues i besimit dhe vlerësimit të qytetarëve të mbarë botës, te standardet e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në vend.

“Së dyti, në një mënyrë a një tjetër, vështirë të gjendet një qytetar, turist apo pushues që së paku një herë gjatë sezonit turistik veror 2023, të mos ketë marrë shërbim, asistencë apo informacion nga një punonjës policie. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, i shënjuar me ndjenja të larta përgjegjësie, profesionalizmi dhe humanizmi, i dedikohet angazhimit shumëdimensional të Policisë së Shtetit”, tha Rrumbullaku.

“Së treti, si çdo punë tjetër e kalibrit të lartë të cilësisë, dhe ky sezon turistik nuk u mirëmenaxhua vetëm. Partnerë ndërkombëtarë, misione të rëndësishme, patrullime të përbashkëta me policitë e Italisë dhe Kosovës, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash me policinë e Kroacisë dhe reagime të koordinuara me shërbimet mbështetëse të zjarrfikësve, të shëndetësisë dhe të pushtetit vendor, kanë shoqëruar dhe vijojnë të shoqërojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, për çështje të integruara të cilat kërkojnë përkushtim dhe ndërhyrje të përbashkëta”, shtoi ai.

Sipas Rrumbullakut, të gjitha këto elemente, të ndërvarura nga njëra-tjetra, rezultuan me një sezon turistik plotësisht të mbarë dhe pa incidente, si dhe me rritje të ndjeshme të imazhit të vendit tonë, në planin ndërkombëtar.

Sfida për ta kthyer vendin kampion të turizmit në rajonin tonë, vijoi Rrumbullaku, është një sfidë për shërbimet e Policisë së Shtetit, jo vetëm në sezonin veror, por për të gjithë vitin.

“Kjo sfidë, sjell detyra të shtuara për Policinë e Shtetit, për të ruajtur nivelin e menaxhimit bazuar në eksperiencën e këtij viti, por edhe për të ngritur në nivel më të lartë, profesionalizmin, performancën dhe dinamizmin e strukturave, me qëllim që të krijojmë mjedis të sigurtë për frekuentuesit e vendit tonë, qofshin shtetas shqiptarë apo të huaj”, tha ai.

Rrumbullaku ndau masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik, ku nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj.

Rrumbullaku tha se u realizua ngritja dhe funksionimi i Njësisë Policore Detare (sezonale), në funksion të verifikimit të aktivitetit dhe rritjen e treguesve për parandalimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit, në zonat bregdetare të ndaluara për lëvizje të mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit;

U realizua rritja e parametrave teknik, informatik dhe logjistik, duke siguruar përmirësimin e infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe funksionimin në vlera maksimale të rrjetit informatik të Policisë së Shtetit, si dhe në vendosjen e masave shtesë në lidhje me kontrollin dhe marrjen e masave në rrugë, duke u vendosur tableta digjitale, aparate digjitale alkool-testues, dronë, radarë matës të shpejtësisë, kamera digjitale të montuara në autovetura, etj; ngritja dhe funksionimi i 6 stacioneve provizore të policisë në zonat turistike si Theth, Valbonë, Tale, Gjiri i Lalzit, Palasë si dhe Ksamil. Risi për këtë vit ishte vendosja e një shërbimi policie 24/7, në Kalatën e Komanit, për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë, në lidhje me veprimtarinë me mjete lundruese në Liqenin e Komanit dhe Lumin e Shalës.

“Në bashkëpunimin me ARRSH dhe me qeverisjen vendore, u rinovuan dhe u plotësuan sistemet e sinjalizimit vertikal dhe horizontal, po ashtu është siguruar menaxhimi i fluksit të trafikut, sidomos në fundjavë, duke u kujdesur dhe me këshillime në raport me drejtuesit e mjeteve në funksion të evitimit të aksidenteve apo rreziqeve në rrugë; në bashkëpunimin me Agjencinë e Bregdetit, është shkëmbyer informacion për plazhet e licencuara, bashkëpunim që ka bërë të mundur identifikimin lehtësisht të plazheve abuzive dhe marrjen e masave për zhvillimin e veprimtarive bazuar në ligjshmëri”, tha Rrumbullaku.

Një punë e palodhur nga ana e Policisë së Shtetit, është bërë në lidhje me sensibilizimin e pushuesve vendas dhe të huaj dhe bizneseve në parandalimin e ndotjes akustike.

Gjatë sezonit turistik veror 2023, u planifikuan me shërbim në zona turistike/plazhe 1632 punonjës policie, nga të cilët; 362 punonjës policie të rendit publik, 73 punonjës policie të strukturave për hetimin e krimit, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të strukturave Operacionale SOS, 912 punonjës policie për kufirin dhe migracionin, (nga te cilët 144 punonjës policie me mjete detare dhe 771 në PKK);

Në dispozicion të këtyre shërbimeve gjatë sezonit turistik veror, janë vendosur 205 automjete (nga të cilat: 40 autovetura, 30 furgonë, 35 motoçikleta, 56 biçikleta dhe 44 mjete lundruese).

Rrumbullaku u ndaj edhe te fakti se gjatë këtij sezoni është monitoruar me përgjegjësi zbatimi i ligjshmërisë në lëvizjen e mjeteve lundruese turistike në hapësirën detare shqiptare ku si rezultat i shërbimeve të organizuara janë arritur këto rezultate:

Janë evidentuar 104 raste dhënie ndihme, ndaj 485 shtetasve me 65 mjete lundruese.

Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 4901 mjete lundruese, nga të cilat 331 janë gjetur me shkelje ligjore, 280 janë bllokuar dhe janë vendosur 331 masa administrative me vlerë totale 10.6 milionëlekë, si dhe janë zhbllokuar pas shlyerjes së gjobave 276 mjete lundruese.

Me të njëjtin vlerësim, në kuadrin e masave të sigurisë nga Policia është vlerësuar edhe siguria ne zonat turistike malore, ku kanë funksionuar Stacionet e Përkohshme Policore.

Si rezultat i këtyre masave dhe prezencës policore, është siguruar rendi dhe qetësia për shtetasit dhe pushuesit, ku në disa raste u është dhënë ndihmë nga Stacionet Policore, dhe Njësitë Alpine, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, për 75 turistëve të huaj, të cilët janë shpëtuar dhe gjetur në terrene të vështira malore.

Gjithashtu, nuk është evidentuar asnjë kallëzim nga shtetas të huaj për krime të rënda ndaj jetës, shëndetit apo pasurisë së tyre.

Janë ndërmarrë dhe përmbyllur me sukses një sërë operacionesh policore në kuadër të procedimeve penale, me mbështetjen dhe bashkëpunimin të ngushte me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm: nNë fushën e krimit të organizuar, 51 operacione nga te cilat 38 kombëtare dhe 13 ndërkombëtare.  Në fushën e krimeve kundër jetës dhe shëndetit, 20 operacione policore.  Në fushën e krimeve kundër personit  29 operacione.  Në fushën e krimeve kundër narkotikeve 136 operacione, nga të cilat 97 operacione kombëtare dhe 39 ndërkombëtare. Në fushën e kapjes së personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar: janë vënë para drejtësisë shqiptare 1399 shtetas, nga te cilët 1211 në kërkim kombëtar dhe 188 në kërkim ndërkombëtar.

Policia ka punuar edhe në parandalimin e aksidenteve

“Puna e kryer vlerësohet, dhe ky vlerësim do të jetë motivim për ju. Duke ju shprehur mirënjohjen për punën tuaj, në menaxhimin e sezonit turistik, dhe dinamikës së përditshme të punës tuaj, bazuar ne vlerësimet dhe rezultatet konkrete te çdo punonjësi policie, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm, kanë akorduar stimuj moral dhe material, nga të cilat 10 Medalje Nderi, 21 Certifikata për Shërbime të Dalluara dhe 1311 shpërblime në vlerën e një page mujore”, tha Rrumbullaku./ATSH/