Kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, protesta të dhunshme në Bangladesh. Viktima dhe të plagosur
Të paktën dy persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në përleshjet në Bangladesh, midis protestuesve antiqeveritar dhe forcave të sigurisë.
Dhuna shpërtheu në kryeqytetin Dhaka gjatë protestave që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Sheikh Hasina përpara zgjedhjeve të janarit.
50 persona u plagosën, duke përfshirë rreth 15 oficerë policie.
Policia deklaroi se të vrarët i përkisnin Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP) opozitare, por nuk dha detaje.
I vetmi detaj sipas BBC është se ata u qëlluan për vdekje nga policia.
Njëri prej viktimave humbi jetën në vend, ndërsa personi tjetër ndërroi jetën në spital.
Ndërkohë protestat e kësaj të marte janë vazhdimësi e tubimeve të mëparshme.
Gjatë së shtunës policia shkatërroi një protestë masive, ku po ashtu mbeti viktimë një oficer policie dhe më shumë se 100 persona u plagosën.
Policia e Dhakës njoftoi se të paktën 1,480 aktivistë të opozitës janë arrestuar dhe akuzuar për dhunë që nga 21 tetori.
Zyra e Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga trazirat dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë të bëjnë të qartë se një dhunë e tillë është e papranueshme.
