Shqipëria abstenon armëpushimin në Gaza, miratohet rezoluta e Asamblesë së OKB, SHBA kundër

Shqipëria ka abstenuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim urgjent mes Izraelit dhe Hamasit. Rezoluta u miratua, por shumë shtete përfshirë SHBA-në votuan kundër. Shkak për kundërshtitë u bë një amendament që nuk u pranua, ku  dënohej sulmi i Hamasit ndaj Izraelit!

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese të premten që bën thirrje për një "armëpushim humanitar" në Gaza që çon në një ndërprerje të armiqësive midis Izraelit dhe sundimtarëve të Hamasit të Gazës.

Kjo është përgjigja e parë e Kombeve të Bashkuara ndaj luftës mes Hamasit dhe Izraelit.

Organizata botërore prej 193 anëtarësh miratoi rezolutën me një votim 120 pro dhe 14 kundër me 45 abstenime.

Shqipëria ishte ndër 45 vendet abstenuese së bashku me Britaninë e Madhe, Australinë, Kanadanë, Greqinë Italinë dhe vendet e tjera.

14 vendet që votuan kundër rezolutës përfshijnë Izraelin dhe aleatin e tij më të ngushtë, Shtetet e Bashkuara, pesë vende ishullore të Paqësorit dhe katër vende evropiane - Austria, Kroacia, Çekia dhe Hungaria, të gjithë anëtarë të Bashkimit Evropian. Tetë anëtarë të BE votuan pro.

Shkak për abstenimet dhe kundërshtimet u bë një amendament i paraqitur nga Kanadaja i cili dënonte pa dyshim sulmet terroriste të 7 tetorit të Hamasit dhe kërkonte lirimin e menjëhershëm të pengjeve  gjë që nuk përmendet në rezolutën e hartuar nga Arabët.

Riyad Mansour, ambasadori palestinez i OKB-së, e quajti Asamblenë e Përgjithshme "më të guximshme, më parimore" sesa Këshilli i Sigurimit I cili ende nuk ka arritur një dakordësi për një rezolutë.

Nga ana tjetër Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan e quajti atë "një ditë turpi” duke thënë pas votimit se "Izraeli nuk do ta ndalojë operacionin derisa të shkatërrohen aftësitë terroriste të Hamasit dhe të kthehen pengjet tanë... Dhe e vetmja mënyrë për Shkatërrimi i Hamasit do të thotë t'i çrrënjosim ata nga tunelet e tyre dhe nga qyteti i nëndheshëm i terrorit."

Ambasadori i Francës në OKB, Nicolas De Riviere, tha se vendi i tij e mbështeti rezolutën "sepse asgjë nuk mund të justifikonte vuajtjet e civilëve" dhe ai kërkoi përpjekje kolektive për të vendosur një zgjidhje humanitare.

Deri tani sipas mediave botërore sulmet e papritura të Hamasit vranë rreth 1,400 izraelitë, dhe më shumë se 7,000 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore hakmarrëse të Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme.