Bisedimet në Bruksel, Ukaj: Borrell futi në një thes dy palët, sikur nuk donin marrëveshjen
Politologu, Fidan Ukaj në një intervistë në Ora News foli për bisedimet dhe takimet e fundit të Kurtit dhe Vuçiç në Brukel me liderët evropianë. Ukaj u shpreh se shqetësuese ishte deklarimi i Borrell që futi palët në një thes duke thënë se këtë plan nuk e kanë pranuar palët.
"Në fakt dje ishte një ditë e gjatë maratonike nga takimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç me tre aktorët kryesorë të bashkimit europian, presidenti Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni.
Megjithatë edhe pse kishim shpresa të mëdha nga këto takime të rëndësishmë nuk kemi një dakordim rreth planit të propozuar më herët nga pesëshja e Bashkimit Evropian që ishte në Kosovë dhe në Beograd.
Megjithatë lajmi i mirë është se kryeministri Kurti tashmë ka pranuar që ky plan të jetë një rrugë drejt zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara më herët dhe Serbia ka refuzuar që ky plan të jetë rruga për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Shqetësuese për mua është deklarimi i Borrell i cili nuk i ndan palët nga ata të cilat i kanë pranu dhe nga ata të cilët nuk i kanë pranu kërkesat e BE-së. Ai futi në një thes palët duke thënë se këtë plan për momentin nuk e kanë pranuar palët", tha ndër të tjera Ukaj.
