EMRAT + PAMJET/ Transportonin drogë me “Toyota Yaris” , vihen në pranga tre persona në Gjirokastër
Janë arrestuar 3 persona, në Gjirokastër, ku Ylli Qëndro transportonte lëndë narkotike , me makinë tip “Toyota Yaris” dhe dy të tjerë, Mikel Leskaj dhe Afrim Leskaj kontrollonin rrugën, me një automjet tjetër tip “Ford”. Në automjetin tip “Toyota Yaris”, gjatë kontrollit janë gjetur në bagazh, 5.25 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjetet dhe 5 celularë.
Prokuroria e Gjirokastrës po meret me veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë Gjirokastër
Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Porosia”. Sekuestrohen 5.25 kilogramë kanabis.
U kap në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me automjet, vihet në pranga 47-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë të cilët kontrollonin rrugën, me një automjet tjetër, për të sinjalizuar 47-vjeçarin, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si rezultat i një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, për disa muaj, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Porosia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Y. Q., 47 vjeç, banues në fshatin Stjar, Delvinë;
– M. L., 32 vjeç, banues në fshatin Çepun, Gjirokastër;
– A. L., 38 vjeç, banues në fshatin Zhulat, Gjirokastër.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, Gjirokastër, automjetin tip “Toyota Yaris”, me drejtues shtetasin Y. Q. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur në bagazh, 5.25 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se po transportohej për t’u shitur.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin M. L. dhe pasagjer shtetasin A. L., të cilët kontrollonin rrugën, me qëllim për të sinjalizuar shtetasin Y. Q., për prezencën e shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjetet dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



