Përdhunimi i 26-vjeçares, e reja pritet t’i nënshtrohet ekspertizës, në Vlorë shkon edhe Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, pritet të mbërrijë sot në Vlorë, pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në këtë qytet pak ditë më parë, ku një 26-vjeçare u përdhunua nga 4 persona.

Ndërkohë pritet që 5 ditë pas ngjarjes, 26-vjeçares t’i bëhet ekspertiza. Ajo është dërguar te mjeku ligjor dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë ku A. C. dhe O. T, tashmë të arrestuar, së bashku me G. M dhe shtetasi V.K, të dy të shpallur në kërkim, detyruan të renë të konsumonte drogë dhe më pas e përdhunuan.

E reja u gjet pa ndjenja nga policia në hyrje të hotelit. Fillimisht policia në një njoftim zyrtar bëri me dije se ishin tre persona që kishin marrë pjesë në ngjarjen e rëndë, ndërsa ditën e djeshme në një reagim të dytë njoftoi për një person të katërt, i cili është shpallur në kërkim.

Prokurori ka kërkuar ndaj tyre masën e arrestit me burg. Për këtë ngjarje gazetarja e Faxneës Afrovita Hysaj është kërcënuar nga shtetasi Albert Deliaj, pasi një prej te akuzuarve dyshohet se ka lidhje me 57-vjeçarin.

“Je në gjak me mua”, ishte mesazhi që Deliaj i dërgoi gazetares, e cila tashmë çështjen e ka lënë në dorë te drejtësisë. Dje policia njoftoi se ndaj tij ka nisur një procedim në gjendje të lirë.

Deliaj është pronar i “6+1” Vlora TV, ku në një postim në rrjete sociale, në faqen e këtij televizioni, u përdorën terma fyese dhe denigruese për gazetaren. Pas një ndërgjegjësimi në masë, postimi u fshi.