Sot jepet masa e sigurisë, Berisha përfaqësohet me avokatë, GJKKO shtyn vendimin për pasdite

Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga ora 14:00 po zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i përfshirë në çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të paraqitet në GJKKO për t’u marrë në pyetje, ndërsa përfaqësohet nga avokati i tij Genci Gjokutaj në gjykatë.

Nisur nga kërkesa e këtij të fundit për t'u njohur me aktet, trupa gjyqësore vendosin ta shtyjë seancën për në orën 18:00.

 

Berisha zgjodhi të mbajë një konferencë me gazetarët në orarin e caktuar nga GJKKO për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit lidhur me çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet ndaj Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.

Në vijim të hetimit, SPAK shprehet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga shtetasi Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jarmarbër Malltezi.