Kryeministri grek Mitsotakis sot në Izrael, takohet me Netanyahun
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ndodhet për një vizitë në Izrael, duke konfirmuar informacionet që ekzistonin që nga pasditja e së dielës për udhëtimin që nuk ndodhi një javë më parë.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e kryeministrit, Mitsotakis do të ketë një takim në Jeruzalem me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu .
Kyriakos Mitsotakis kishte njoftuar edhe më herët për vizitën e tij në Izrael, nga mbledhja e kabinetit të së mërkurës së kaluar.
Të shtunën, kryeministri grek mori pjesë në Samitin për Paqe të mbajtur në Kajro, duke dërguar mesazhin se “asnjë ndërhyrje ushtarake nuk mund të zëvendësojë një zgjidhje të qëndrueshme politike”.
“Mesazhi kryesor që duhet të dërgojmë sot është se ne të gjithë e dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij. Ne vajtojmë humbjen e jetëve dhe dëmtimin e civilëve të pafajshëm nga dhuna në Izrael dhe Gaza pas sulmeve terroriste të 7 tetorit nga Hamasi.
Nga të dyja palët ka viktima të pafajshme. Ka qytetarë që po mbahen peng dhe nuk mund të ketë bisedime paqeje derisa të lirohen”- tha ai duke iu referuar posaçërisht bombardimit të spitalit Alahli në Gaza, qytetarëve që u vranë brutalisht ose u torturuan ose u vranë në shtëpitë e tyre në Izraeli.
Kryeministri grek përsëriti qëndrimet e Athinës. “Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje, por në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha ai.


