Konjufca: Agresioni nga Serbia përmes grupeve terroriste vënë në pikëpyetje stabilitetin e rajonit
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka pritur sot në takim deputeten dhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin britanik Alicia Kearns, me të cilën ka diskutuar mbi raportet miqësore mes dy vendeve dhe forcimin e këtij bashkëpunimi në çdo fushë, si përkushtim i vazhdueshëm i të dy palëve.
Të dy palët biseduan edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, me ç'rast kryetari Konjufca potencoi se aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk janë kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendosin në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit.
Duke e falënderuar Kearns për vizitën, kryetari Konjufca e konsideroi ardhjen e saj në Kosovë si afirmim të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara.
I pari i Kuvendit i shprehu zyrtares së lartë britanike mirënjohjen për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj për Kosovën, duke i qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat.
“Prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë, siç është edhe për një të ardhme me vizion të gjerë“, tha Konjufca.
Ndërsa, deputetja Alicia Kearns konfirmoi se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme.
