Duka: Në EURO 2024 shkojmë pasi të bëjmë edhe 2 rezultate pozitive
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për televizionin “News24”, ku ka folur gjatë për sukseset e fundit të Kombëtares shqiptare në kualifikueset e EURO 2024 dhe ka analizuar punën e bërë nga stafi teknik kuqezi me në krye Sylvinho-n.
Presidenti Duka thekson se objektivi për të shkuar në finalet e Europianit ende nuk është arritur dhe se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, për të përgatitur sa më mirë edhe dy finalet e fundit, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka komentuar edhe protagonistët kuqezi, duke vlerësur talentet shqiptare për ato paraqitje fantastike që kanë bërë përgjatë gjithë këtij edicionit të kualifikueseve të Europianit.
“Ajo që ka dhuruar ekipi Kombëtar ka qenë me të vërtetë fantastike, kundër kundërshtarëve shumë të fortë. Po dëgjoja në media rekordet që kemi thyer pas 70 vjetësh. Ka qenë legjitim gëzimi jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Mendoj se ka qenë tema kryesore e diskutimit në të gjithë muajin tetor”, tha ai, duke iu referuar fitores së kombëtares në ndeshjet e zhvilluara së fundmi.
Ai u shpreh se, nuk do të shkojmë me matematikë as në Moldavi e as kundër Ishujve Faroe, por duhet të shkojmë për t’i fituar të dy ndeshjet, për të qenë në një pozicionim më të mirë, për të qenë të parët e grupit, për të qenë në një pozicion më të mirë në short dhe pse jo në renditjen e FIFA-s.
“Ne realisht dhe më shumë ekipi Kombëtar, i ka bërë bashkë. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare, ne i kemi bërë bashkë për sa kohë i kemi sjellë në stadium, për më tej ato duhet t’i shohin vet punët e tyre”, tha Duka, teksa u shpreh i kënaqur për stadiumin, që ka kushte shumë të mira për çdo njeri që hyn brenda, por edhe jashtë ambienteve sportive të stadiumit.
“Pa dyshim që në ndeshje të tilla nuk do të ishte i mjaftueshëm as dyfishi i atij kapaciteti apo më shumë se sa dyfishi, por duke pasur parasysh zhvillimet apo mundësitë, mendoj që kemi mjaftueshëm stadiumin “Air Albania”. Unë uroj që kjo skuadër të shkojë akoma më lart me rezultat edhe më të mira dhe pse jo në të ardhmen të bëjmë një stadium edhe më të madh, sepse tifozët afrohen më shumë kur ka rezultate më të mira, por në asnjë mënyrë nuk jam penduar, jam shumë i gëzuar për stadiumin që kemi”, theksoi Duka.
Ai vuri në dukje se, edhe drejtimi dhe organizmi i punës nga Sylvinho dhe nga stafi i tij ka qenë shumë i mirë.
“Stafi është vërtetë shumë i impenjuar dhe përgatit gjërat deri në detaje për të qenë sa më mirë në fushën e lojës. Përgatitja e të gjithë këtyre gjërave, detajeve, harmonizimi, padyshim edhe skema taktike dhe talenti i futbollistëve kanë sjellë këto rezultate pozitive, por e thashë nuk jemi ende në Evropian. Në Evropian do të shkojmë pasi të bëjmë dy rezultate pozitive, ne duhet t’i luajmë këto dy ndeshje me shumë seriozitet, futbollistët duhet të jenë shumë të përqendruar ne radhë të parë Moldavi e më pas kundër Ishujve Faroe”, tha Duka.
Ai u shpreh se, “ëndërr ka qenë edhe kualifikimi në Evropian, shpesh është komentuar si një ëndërrë e parealizueshme. E kemi realizuar dhe kemi luajtur një herë në vitin 2016 dhe pretendojmë edhe një herë tjetër në 2024-n, por niveli më i lartë i rezultati sportiv është Botërori dhe pse jo, ne do ta tentojmë për 2026-n”.
Objektivi më i afërt është që të kualifikohemi tani në EURO 2024, tha ai.



