Galiani piketon Asllanin, projektohet shkëmbimi i bujshëm i mesfushorit në janar

Kristjan Asllani vazhdon të mbetet një temë e nxehtë diskutimi te Interi. Lojtari tregon sa herë që vesh fanellën e kombëtares se ka cilësi ta jashtëzakonshme.

Por te Interi, ku ndoshta nuk i besojnë në të njëjtën mënyrë si në Shqipëri, ai nuk ka arritur të shfaqet në të njëjtat nivele deri tani.

Dhe nëse Inzagi nuk e sheh si zgjedhje të parë në mesfushë, ka klube të tjera të gatshme që t’i ofrojnë atij këtë mundësi. Sipas mediave italiane, një njohës i jashtëzakonshëm i futbollit si Adriano Galiani, ka piketuar Asllanin për Monzën e tij.

Ish-drejtuesi i njohur i Milanit më të suksesshëm në histori, mendon që të përfshijë Asllanin në një shkëmbim të mundshëm me Interin që po monitoron Andrea Kolpanin.

Ky i fundit është një prej emrave që kërkon Inzagi për të përforcuar fazën ofensive të skuadrës dhe Galiani, duke nuhatur një marrëveshje fitimprurëse, po përpiqet që të përfshijë emrin e mesfushorit shqiptar në bisedime.

Mbetet të shihet nëse do të realizohet një shkëmbim i tillë, por me kualifikimin e mundshëm në Euro 2024 të Shqipërisë, për Aslanin do të ishte më e dobishme që të gjente një ekip ku të luante rregullisht në pjesën e dytë të sezonit.