Postoi mesazhe pro-Palestinë, Bayern merr vendimin për mbrojtësin maroken

Mbrojtësi maroken i Bayern Munchen, Noussair Mazraoui para disa ditësh postoi në rrjetet sociale mesazhe që shprehnin mbështetje për Palestinën. Ndaj këtij postimi pati reagime të forta.

Klubi bavarez vendosi fillimisht ta pezullonte për disa kohë mbrojtësin. Mirëpo sot klubi ka dalë me një njoftim në lidhje me këtë situatë. Drejtuesit patën një takim kokë më kokë me marokenin dhe sqaruan pozicionet.

Gjatë takimit Mazraoui sqaroi shkaqet e postimit, por sipas klubit ai dënon çdo formë terrorizmi dhe dhune në Lindjen e Mesme. Gjithashtu të dy palët dënojnë çdo formë të dhunës që mund të transferohet në Gjermani.

Klubi shpreh mbështetje për komunitetin hebre, duke thënë se asgjë nuk e justifikon vrasjen e nënave dhe fëmijëve.

Ndërsa CEO i klubit, Dreesen shprehu besim të plotë tek Mazraoui duke thënë se lojtari refuzon terrorin dhe dhunën dhe nuk e kishte me qëllim të keq postimin për të krijuar irritim dhe për të nxitur trazira në Gjermani.

Ai nuk do të pezullohet nga ekipi, mirëpo këtë fundjavë nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Tuchel për shkak të një dëmtimi.