“Mali i Zi javën tjetër me qeveri të re”, Camaj: Ashtu si me “Ballkanin e Hapur”, Procesi i Berlinit do i japë fund aspiratave hemogjiste serbe në rajon

Kryetari i partisë Lidhja Demokratike Shqiptare në Malin e Zi Nikollë Camaj në një intervistë dhënë në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se vijon agonia e formimit të qeverisë së re.

“Jemi dy koalicione mes politikës shqiptare dhe jemi gati të nënshkruajmë marrëveshjen e hartuar nga z. Spajiç për krijimin e qeverisë së re. Besoj se javën e ardhshme Mali i Zi do të ketë edhe kryetarin e saj të Parlamentit ndërsa në fundjavën e ardhshme edhe qeverinë e re”, u shpreh Camaj.

Ndërsa lidhur me Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt të henën në Tiranë, ligjvënësi malazez theksoi se me një ngjarje të tillë mund të ketë vetëm benefite sa i përket interesave të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Janë takime ku ne mund të rrimë më afër njëri-tjetrit dhe mund të zgjidhim shumë çështje. Dhe sido që të jetë kryeministri ynë në detyrë ishte aty dhe është i kënaqur nga takimi. Para 3 viteve kur ndodhi rrëzimi i Gjukanoviçit, erdhën parti të reja, si ajo e 12 Apostujve e cila nuk zgjati shumë si qeveri. Pra po thoja që ato parti që erdhën me ndihmën e neofashizmit serb nuk mundën të mbijetonin dhe kanë vetëm afate të shkurtra. Dhe sot të gjithë këta aktorë kanë pësuar modifikim dhe kanë kuptuar që të mbajnë anën e integrimit drejt Perëndimit.

Do të ishte fat nëse projektet ekonomike që u diskutuan në Samit të përfitonin të gjitha vendet e Ballkanit si paketë, por e dimë shumë mirë që disa vende kanë bërë më përpara e disa jo, ashtu si ne që në këto dy vitet e fundit duket se jemi stopuar. Por ajo që u vu re, mendoj se është fat që u hoq dorë nga Ballkani i Hapur, pasi të gjithë ne e kemi kuptuar si një botë serbe më tepër, se sa një çështje e Ballkanit.

Ndërsa Procesi i Berlinit na jep shpresë se Ballkani do të jetë më i hapur, dhe i ndihmon shtetet e përfshira që të jenë gati për integrimet e tyre në BE. Shtetet e Ballkanit duhet të punojnë mes tyre pa marrë parasysh se kush janë ato. Ajo që ndodhi në Kosovë, ajo që po ndodh në Bosnjë janë tregues që aspiratat hegjemoniste serbe nuk kanë ndaluar dhe kam bindjen se në Evropën e Bashkuar këto do të pushojnë njëherë e mirë”, theksoi Camaj.

Duke folur për raportet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, deputeti Nikollë Camaj u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë mjaft të mira.

“Interesimi i Shqipërisë për shqiptarët këtu ka ardhur në rritje edhe porsa i përket deklaratave dhe qëndrimeve publike. Natyrisht, Shqipëria ka një kontribut të madh kur punonim për realizimin e idesë për një komunë të plotë të Tuzit. Është interesant që raportet janë ndërlidhur edhe në nivelin e dy kryeministrave, ndërsa ka një mungesë komunikimi mes subjekteve politike shqiptare”, u shpreh Nikollë Camaj.