Miratohen ndryshimet në ligjin për dërgimin e FA-së jashtë vendit

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot disa ndryshime në ligjin “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

I ftuar në komision për të folur mbi ndryshimet e kërkuara ishte zv/ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, i cili parashtroi ndryshimet në ligj.

Joti tha se ndryshimet e propozuara synojnë të saktësojnë kushtet në të cilat mund të vendoset dërgimi i trupave ushtarake jashtë vendit duke marrë në konsideratë edhe detyrimet ndërkombëtare që ka Republika e Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen në operacionet humanitare.

Gjithashtu, zv/ministri tha se “FA janë pjesë e strukturave operacionale të Mbrojtjes Civile dhe sipas këtij ligji Republika e Shqipërisë me mundësitë dhe kapacitetet që ka mund të angazhohet në emergjencat civile jashtë vendit, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare”.

“Një problematikë tjetër që haset nga autoritetet e Policisë Ushtarake të FA-së është zbatimi i detyrimeve të ligjit aktual, sipas së cilit në çdo rast, edhe kur kërkohet nga shteti që bën kërkesën për kalimin tranzit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, një njësi e Policisë Ushtarake duhet t’i shoqërojë këto forca. Duke qenë se Republika e Shqipërisë përbën një urë lidhëse me Italinë. Malin e Zi dhe Kosovën kërkesat për kalimin tranzit me destinacion në një nga këto shtete janë të shumta dhe në disa raste Policia Ushtarake gjendet në vështirësi për zbatimin e normës ligjore”, tha Joti.

Ndaj, sipas tij “nevoja për ndërhyrje nga ana e qeverisë lind nga fakti se deri tani në ligjin e vitit 2005 nuk ka të saktësuar në mënyrë shteruese autorizimin ligjor për të dërguar jashtë vendit trupa ushtarake me qëllim për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare dhe emergjenca civile”.

“Po ashtu edhe për vendosjen e trupave të huaja ushtarake në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim pjesëmarrjen në operacionet humanitare dhe emergjenca civile që mund të kryhen në vendin tonë në raste fatkeqësie natyrore”, theksoi ai.

Joti tha se ndërhyrja tjetër bëhet për të përcaktuar në ligj rastin kur Policia Ushtarake është e detyruar të shoqërojë forcat që kalojnë tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar që këto trupa të shoqërohen me njësi të Policisë Ushtarake vetëm nëse kërkohet nga shteti përkatës. Joti tha se ky projektligj nuk ka efekte financiare apo kosto shtesë.