Çejku: Shqipëria heshti në KS për sulmin terrorist të Banjskës. Qasja ndaj Kosovës e gabuar
Për diplomatin Agim Çejku është për të ardhur keq kur shikon se në çfarë niveli kanë arritur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, Çejku u shpreh se Shqipëria nuk mund të jetë aktor në çështjet që ka Kosova, por ajo mund të jetë vetëm faktor në zgjidhjen e këtyer problemeve.
“E para, marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë duhet të kalojnë nga Kosova! E dyta Shqipëria nuk mund të jetë aktor përsa i përket bisedimeve apo çdo çështjeje që Kosova ka me Serbinë. Mund të jetë faktor që ta mbështesi, ta lehtësojë, ta ndihmojë.
Nuk mundet asnjë kryeministër në Shqipëri apo president që të flasë në emër të Kosovës.
Nuk mund ta kemi ne monopolin për të folur në emër të saj, apo më keq akoma, të ndërhyjmë në një konflikt dhe tension që nuk ka zgjidhje edhe pas kaq shumë vitesh. Sepse nuk e kemi ne fuqinë.
Iluzioni që krijohet edhe nga propaganda se Shqipëria është qendra e Ballkanit është e gabuar.
Si psh, Shqipëria duhet të bënte pjesën e saj edhe në Këshillin e Sigurimit. Nuk mund të kalonte sulmi terrorist në Banjskë pa një përpjekje për të kaluar në Këshillin e Sigurimit, sepse Shqipërisë i takonte ta ngrinte dhe ta bënte çështje atje këtë ngjarje.
Sepse nëse do kemi ngjarje të tjera në të ardhmen, duhej të reagonim për këtë njëherë.
Pra çfarë ndodh? Shqipëra ka tashmë një CV ku ajo ka qëndruar e heshtur, dhe nuk mund të diskutojmë me ndërkombëtarët për cështje që ne nuk flasim.
Dhe përdorimi politik i kësaj nga kryeministri tregojnë qasjen se përpjekja për të qenë në qendër të vëmendjes me çdo çmim, çdo mjet, dhe me çdo kusht është një qasje e gabuar.
Në këndvështrimin tim, z. Kurti ka ato problematikat e veta, që nuk i ka në raprot me Tiranën, por me raportuesit dhe me ato që janë ndërmjetës.
Unë nuk e kuptoj se si mund të qëndrojë z. Lajçak kur ai e ka humbur kredibilitetin e tij. Dhe për të rikthyer dialogun pasi u vra në 24 shtator, nuk mund të rikthehet nga të njëjtët aktorë”, u shpeh diplomati Çejku.



