Qeveria serbe: Brnabiç nuk ka refuzuar të fotografohet me liderët në Tiranë, lajme të rreme
Qeveria e Republikës së Serbisë detyrohet të përgënjeshtrojë shkrimet e disa mediave rajonale dhe vendase, të cilat raportuan se kryeministrja Ana Brnabiç refuzoi të bënte një foto me liderët e tjerë gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, thuhet në një reagim të qeverisë serbe, sipas srbija.gov.
”Brnabiç mori pjesë në një foto familjare të të gjithë liderëve evropianë dhe rajonalë në Tiranë… Me këtë Serbia edhe një herë tregoi se nuk udhëhiqet nga politika e izolimit, por se është e orientuar drejt bashkëpunimit dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut”, shtohet në reagim.
”Gënjeshtrat e tilla të publikuara në opinion dëmtojnë edhe reputacionin e Republikës së Serbisë dhe përfitojnë vetëm ata që nuk e duan vendin tonë”, thuhet në të.
”Pa synuar të hyjmë në arsyet e shpërndarjes së lajmeve të rreme, dëshirojmë të nënvizojmë edhe një herë se Republika e Serbisë, me qëndrimin e kryeministres në Tiranë dhe bisedimet e saj me liderët evropianë, konfirmoi se është e përkushtuar në mënyrë të përhershme ndaj politikës së integrimit, bashkëpunimit dhe lidhjeve rajonale”, përfundon reagimi i qeverisë serbe.
