Nga largimet masive pas ‘ultimatumit’ të Izraelit, te civilët që refuzojnë, çfarë ndodh në Rripin e Gazës

Më shumë se një milion palestinezë në gjysmën veriore të Rripit të Gazës po përballen sot me një afat të vendosur nga izraelitët për t’u zhvendosur në jug. OKB vlerëson se dhjetëra mijëra janë shpërngulur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se bombardimet më të rënda të vendit të tij ndaj Gazës në ditët e fundit ishte “vetëm fillimi”.

Të paktën 1,900 njerëz në Gaza janë vrarë në sulmet e kryera si hakmarrje për vrasjen e 1,300 izraelitëve në sulmet e befasishme nga persona të armatosur të Hamasit një javë më parë.

Raportohet se ka pasur panik në pjesën veriore të Rripit të Gazës me popullsi të dendur që kur Izraeli lëshoi fletushka që udhëzonin banorët të largoheshin.

Ndërsa radhët e gjata të njerëzve dhe automjeteve u krijuan shpejt në rrugët në jug, shumë thanë se do të kundërshtonin urdhrin.

OKB-ja dhe organizatat e tjera kanë paralajmëruar për një katastrofë nëse kaq shumë palestinezë detyrohen të ikin, duke i bërë thirrje Izraelit të heqë rrethimin e Gazës për të lejuar ndihmën humanitare.

Një javë pasi Izraeli pësoi sulmet më vdekjeprurëse ndonjëherë, ai po vazhdon bombardimet e tij të rënda të Gazës duke thënë se synon të zhdukë grupin militant islamik Hamas që qeveris territorin.

Hamasi është zotuar të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut.

Me përgatitjet e bëra për një pushtim tokësor, ushtria izraelite thotë se forcat e saj tashmë kanë kryer bastisje të kufizuara brenda Gazës duke synuar palestinezët që lëshojnë raketa dhe mbledhin informacione për dhjetëra pengje izraelitë të mbajtur nga Hamasi.