“Izraeli po përdor metoda mizore”, Putin: Jo të gjithë e mbështesin Hamasin, gratë dhe fëmijët s’kanë pse vuajnë
Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar Izraelin për përdorimin e “metodave mjaft mizore” në përgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit në fundjavë.
Duke folur gjatë një vizite në Kirgistan, Putin tha se Rusia e kupton “logjikën e ngjarjeve” në Lindjen e Mesme, por sipas tij “Izraeli po përgjigjet në një shkallë të gjerë dhe me metoda mjaft mizore”.
“Për mendimin tim është e papranueshme,” tha Putin. “Më shumë se dy milionë njerëz jetojnë atje. Jo të gjithë e mbështesin Hamasin. Nuk ka pse të vuajnë të gjithë, sidomos gratë dhe fëmijët”, tha ai.
Më herët, Putin ka deklaruar se një ofensivë tokësore izraelite në Gaza do të sillte një numër “absolutisht të papranueshëm” të viktimave civile dhe ai përsëriti thirrjen e tij që kriza të zgjidhet me negociata, duke shtuar se Rusia mund të ndihmojë sepse ka marrëdhënie me të dyja palët.

