Shkoi për pushime në Izrael, por u vra nga Hamasi, mesazhi i fundit i 22-vjeçares: Më duket se na zbuluan, mami, të dua!

22-vjeçarja, Carolie Ball nga Gjermania, e cila ishte studente në Berlin, kishte shkuar të vizitonte shoqen e saj në Izrael për disa ditë.

Fatkeqësisht, ajo është mes viktimave nga sulmet e Hamasit në Izrael.

Fati i bëri një lojë të keqe vajzës së re, pasi ajo do të fluturonte nga Izraeli në Gjermani mesditën e së shtunës, por Hamasi sulmoi ndërtesën ku ajo qëndronte me të dashurin e saj, duke i vrarë të dy.

Pak minuta para se të vritej, ajo po komunikonte me nënën e saj duke i thënë se po fshihen në një strehë.

"Jemi nën sulm, nuk e di kush janë. Jemi fshehur në një strehë. Mendoj se na zbuluan. Mami të dua", thuhet në mesazhin e saj të fundit.