Për Jada Smith, Tupac ishte "shpirti i saj binjak"

Aktorja amerikane, Jada Smith, gruaja e aktorit të njohur Will Smith, ka shprehur se është njohur me reperin Tupac në mes të viteve ’80, kur ata shkonin së bashku në shkollën e arteve "Maryland".

Ata u bënë miq, derisa reperi u qëllua për vdekje në shtator të vitit 1996.

"Ishte dita e parë, ai erdhi drejt meje dhe u prezantua. Në gjimnaz, Pac kishte paksa një pamje qesharake.

Përfundimisht, duke e parë nga pamja e jashtme, nuk ishte fiks tipi me të cilin do merresha. Por, sapo m'u afrua, ishte si magnet. Në momentin që i kushtoje vëmendje, ai të përthithte",- shprehu Jada për njohjen e tyre.

Në një intervistë për "Rolling Out", ajo u shpreh se në fakt, Tupac ishte "shpirti i saj binjak".

"Shpirt binjak, po! Nëse ekzistojnë jetët e mëparshme, mendoj se Pac dhe unë kemi udhëtuar në disa jetë. E ke parasysh, në forma të ndryshme"- rrëfeu ajo.

A u pendua Jada që nuk e çoi marrëdhënien e tyre në një tjetër nivel?

"Nuk ka pasur kimi mes nesh. Unë e kam thënë edhe në libër. Është ajo kimia miqësi-dashuri, më beso"- tha ajo.