Presidenca e Kosovës sqaron për “Ora News”: Osmani ka kërkuar që KFOR-i të operojë si reagues i tretë, jo marrje të kompetencave
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në çdo takim që ka pasur me aleatët e Kosovës, e ka sqaruar se mandati i KFOR-it është vetëm si reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë.
Zyra e Presidendes në përgjigje të interesimit të Ora News, lidhur me qëndrimin e kryetares së Shtetit, tha se institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, krah policëve të Kosovës, në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste nga Serbia.
“Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia.
Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.", thekson në reagimin e saj për "Ora News", institucioni i Presidencës së Kosovës.
NATO ka marrë vendim që ta shtojë praninë e trupave të KFOR-it në Kosovë. Kjo vjen pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një polic i Kosovës.



