Kuleba: As Ukraina dhe as Polonia nuk kanë nevojë për këtë luftë gruri
As Ukraina dhe as Polonia nuk kanë nevojë për këtë luftë gruri, deklaroi kreu i diplomacisë ukrainase Dmytro Kouleba, duke shtuar se fushata elektorale te fqinja dhe aleatja e saj po nxiste tensione.
“Ne nuk kemi nevojë për këtë luftë gruri. As Polonia”, tha Kouleba në një intervistë për agjencinë Interfax-Ukraine.
“Nuk e krijuam ne këtë krizë dhe jemi absolutisht të prirur për t’i dhënë fund”, shtoi ai duke theksuar se tensionet aktuale polako-ukrainase ishin për shkak të fushatës së zgjedhjeve të 15 tetorit në Poloni.
“Emocionet janë të larta. Tensioni mund të rritet ende në Poloni deri më 15 tetor”, tha ministri ndërsa qeveria populiste polake, me mbështetjen e fortë të rajoneve bujqësore të vendit, paraqiti ndalimin e saj për importin e grurit ukrainas, si një mënyrë për të mbrojtur fermerët polakë.
Kuleba u shpreh i sigurt në zgjidhjen e afërt të kësaj krize duke besuar se dy fqinjët nuk kishin “zgjidhje tjetër”.
Nga ana tjetër, ai dënoi fjalimin e zyrtarëve polakë, duke i paraqitur ukrainasit si mosmirënjohës.
“Unë e konsideroj një kërcënim strategjik (…) përhapjen aktive të narrativës për të ashtuquajturën mosmirënjohje të ukrainasve ndaj Polonisë, një nga aleatët e saj kryesorë përballë pushtimit rus”, theksoi ministri.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër dhe e thjeshtë. Ukraina është sinqerisht dhe thellësisht, shumë mirënjohëse ndaj popullit polak dhe qeverisë polake”, tha ai.
Varshava, aktualisht ka pritur gati një milion refugjatë ukrainas, që u larguan nga vendi i tyre pas fillimit të pushtimit rus në 2022, dhe ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën, kryesisht kalon përmes territorit të saj.


