Duka reagon pas lirimit të zëvendëspresidentit të FSHF-së: Nuk dyshuam kurrë në pafajësinë e Arben Dervishajt

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar vendimin e Gjykatës për të shpallur të pafajshëm, zëvendëspresidentin e FSHF-së, Arben Dervishaj, i akuzuar në dosjen e inceneratorit e Firerit.

Duka në reagimin e tij, inxhinierin, profesorin, bashkëpunëtorin në sektorët e FSHF-së dhe mikun e tij siç e konsideron, vetë numri 1 i futbollit.

Mesazhi i plotë i presidentit të FSHF-s, Armand Duka për zv.presidentin Arben Dervishaj:

Kemi pritur me durim dhe qetësi thuajse prej një viti që drejtësia të thoshte fjalën e saj për një nga kontributorët tanë më të rëndësishëm, zv.presidentin e FSHF e një mik e bashkëpunëtor si inxhinier Arben Dervishaj.

Ne, në FSHF për asnjë moment nuk kemi dyshuar në pafajësinë e inxhinierit me një karrierë të gjatë e kontribute të jashtëzakonshme në shumë prej veprave të ndërtuara në vendin tonë; ashtu sikurse një profesor me autoritet të padiskutueshëm në auditoret universitare.

Si mik, nuk kam dyshuar asnjëherë në pafajësinë e Benit; si personalitet në fushën e tij, shoqëria, politika e drejtësia do të duhet t'i jenë borxhli për burgun e padrejtë që kreu.

Ne në FSHF e mirëpresim sa më shpejt për të vazhduar me dhjetëra projekte infrastrukturore që inxhinier Arben Dervishaj i ka ndjekur me përpikmëri në çdo moment por edhe në sfidat e reja që kemi përpara që kërkojnë ekspertizën, eksperiencën dhe vendosmërinë e inxhinier Benit.