Viktimizohet Vuçiç: Vrasja e policit shqiptar nuk iu desh askujt, serbët ranë pre e provokimeve të Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç po bën adresimin e tij, të parë sot, që nga akti terrorist i ndodhur nga sulmues serbë në Branjskë të Zveçanit në veri.

Ai madje u viktimizua, duke deklaruar se vrasja e policit shqiptar, nuk iu desh askujt.  

“Ndaj tyre është kryer një sulm brutal dhe ne në fillim menduam se pse KFOR-i nuk e bëri këtë, do të kishte më pak viktima. Sipas informacioneve që disponojmë, thuhet se janë vrarë tre serbë nga Kosova. Dy sigurisht nga zjarri me snajper, kur nuk ishte e nevojshme që të likuidoheshin. Dy prej tyre janë plagosur rëndë, ndërsa ka frikë se ka mbetur i vrarë edhe personi i katërt. Ne ndoqëm, përgjuam se çfarë po bënte policia shqiptare, do t’ju tregojmë provat, ndoshta edhe gjatë konferencës, presim vetëm përkthimin."

Sipas Vuçiqit, “Albin Kurti është i vetmi fajtor për atë që po ndodh sot në Kosovë dhe i vjen keq që një pjesë e serbëve ranë në provokimet e tij. Kurti dëshiron të na fusë në luftë me NATO-n dhe nuk ka dëshirë tjetër. Është e vetmja gjë që funksionon gjatë gjithë kohës.”, tha Vuçiç.