Zjarri në Margëlliç, Balla: Forca të shumta po luftojnë me flakët, arrestohet autori i dyshuar

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndau sot pamje nga situata e zjarrit në Bashkinë Patos, fshati Margëlliç.

Ai u shpreh se po ndiqet situata, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha.

Balla theksoi se, forcat zjarrfikëse nga Bashkia e Patosit, Roskoveci, Fieri dhe kompania Albpetrol po punojnë me ngulm për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat ku jetojnë qytetarët.

Po ashtu, janë mobilizuar forca nga qytetet e tjera si Lushnja, Vlora dhe Berati për të ndihmuar në këtë situatë të vështirë.

Ministri i Brendshëm ka falënderuar edhe Policinë e Shtetit për veprimet e tyre të shpejta dhe efikase.

Ata kanë dërguar një numër të madh efektivësh të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) për të ndihmuar në shuarjen e flakëve dhe parandalimin e dëmeve më të mëdha.

Balla gjithashtu ka informuar se autoritetet kanë arrestuar personin e dyshuar për zjarrvënien.