Zgjedhjet në Kukës, Vata: Rinia, forca më e madhe e qytetit
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kukës më 24 shtator, Emri Vata zhvilloi një takim me të rinjtë e Qendrës për Progres Rinor.
Vata u shpreh se, “rinia është forca më e madhe e qytetit tonë, e cila na nxit të ndjehemi krenarë dhe të kujdesemi për të ardhmen”.
“Ju jeni motori i zhvillimit dhe energjia që na drejton përpara drejt një të ardhme më të ndritur dhe të suksesshme”, iu drejtua ai të rinjve.
“Angazhimi im si kryetar i Bashkisë është që të ndërtoj një mjedis të përkrahur për rininë, duke ju ofruar më shumë hapësirë dhe mundësi për të shfaqur talentin dhe potencialin tuaj”, shtoi ai.
“Nevojitet një bashkëpunim i ngushtë mes qytetarëve të rinj dhe institucioneve, për të krijuar programe inovative, trajnime dhe aktivitete që ju zhvillojnë si individë dhe si bashkësi”, theksoi më tej Vata.
Kandidati Vata siguroi të rinjtë se, “Bashkia do të jetë gjithmonë pranë jush, duke ju dëgjuar, duke ju përkrahur me ide të reja dhe duke kontribuar në krijimin e një mjedisi pozitiv dhe të pasur në mundësi”.
“Rinia jonë është e ardhmja dhe unë besoj thellë në potencialin tuaj për të bërë ndryshime të mëdha dhe të frymëzoni të tjerët’, u shpreh ai.
“Faleminderit për guximin dhe energjinë që përcillni në këtë qytet të bukur. Jam i bindur se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë".


