Kombëtarja e 19-vjeçarëve bind në miqësore

Shqipëria U-19 fitoi ndeshjen e parë miqësore ndaj moshatarëve të saj nga Azerbajxhani në “Elbasan Arena” me shifrat 2-0. Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku arriti të triumfonte falë dopietës së realizuar nga Flavio Sulejmani.

Trajneri Bulku hodhi në fushë këtë formacion: Tomas Kiri (GK), Klevis Haxhari, Arlind Kurti (C), Arlind Kurti, Adi Kurti, Elton Fikaj, Jordi Jaku, Oresti Kasmollari, Behar Ismaili, Erald Krasniqi, Flavio Sulejmani, Skerdi Xhixho. 

90 minuta mjaft të mira të zhvilluara nga kuqezinjtë e ekipit kombëtar. Pjesa e parë e takimiy u mbyll me porta të paprekura ndërsa në të 51-ën, pas një aksioni nga majta, Krasniqi shmangu bukur një nga kundërshtarët dhe shërbeu në qendër të zonës, ku sulmuesi i Perugia, Flavio Sulejmani, goditi me qetësi dhe kaloi kuqezinjtë në avantazh. Në të 75-ën Shqipërinë U-19 shënoi sërish, me Sulejmanin, pas një aksioni të bukur të kuqezinjve.

Këto dy gola i mjaftuan 19-vjeçarëve të Shqipërisë për të marrë fitoren në këtë përballje. Në të 85-ën, Sanan i skuadrës azere u ndëshkua me karton të kuq.

Të hënën do të luhet dhe sfida e dytë miqësore mes këtyre dy ekipeve, në Shtëpinë e Futbollit, në orën 16:30.