Emri zyrtar i Indisë po ndryshon, lëvizja e Modi në G20 e konfirmon atë

Kryeministri indian Narendra Modi mbajti fjalimin e tij të hapjes në samitin e G20 në Nju Delhi sot i ulur pas një tabele ku thuhej se emri i vendit të tij është ‘Bharat’, treguesi më i fortë ende se ai mund të ndryshojë emrin zyrtar të Indisë.

Pak ditë më parë ftesat për darkën e samitit iu dërguan udhëheqësve të G20-ës nga “presidenti i Bharat”, Draupadi Murmu, duke shkaktuar një valë zërash se emri zyrtar anglez i vendit do të ndryshojë.

Për më tepër, logoja e konferencës përmban emrat “India” në anglisht dhe “Bharat” në Hindi.

Modi shpesh përdor fjalën “Bharat” kur i referohet Indisë, një nga dy emrat zyrtarë të vendit sipas Kushtetutës së saj, e cila rrjedh nga tekstet e lashta hindu të shkruara në sanskritisht.

Anëtarët e partisë nacionaliste hindu BJP (Bharatiya Janata) tashmë kanë bërë fushatë kundër emrit “India”, i cili i ka rrënjët në antikitetin perëndimor dhe i është imponuar vendit gjatë sundimit kolonial britanik.

Qeveria Modi ka kërkuar të zhdukë simbolet e kolonializmit britanik nga qytetet indiane, institucionet politike dhe librat e historisë së vendit.

Në fillim të këtij viti ministri i Jashtëm indian S. Jaishankar u duk se mbështeti idenë e ndryshimit të emrit. “Emri Bharat,” shpjegoi ai, “mbart me vete një kuptim, një perceptim dhe një lidhje, e cila pasqyrohet gjithashtu në Kushtetutën tonë,” raportoi të mërkurën Hindustan Times e Indisë.

Perspektiva e një ndryshimi të tillë ishte e mjaftueshme për të shkaktuar reagime të përziera në mesin e kundërshtarëve të Modit, si dhe mbështetësve entuziastë të ndryshimit.

“Shpresoj që qeveria të mos jetë aq budallaqe sa të heqë plotësisht ‘Indinë’,” komentoi Shashi Tharut, një zyrtar i lartë i partisë opozitare të Kongresit në Platformën X.

“Ne duhet të vazhdojmë të përdorim të dyja fjalët”, shtoi ai.

Nga ana e tij, lojtari i kriketit Virender Sehwag shprehu gëzimin e tij për perspektivën e një ndryshimi të tillë dhe kërkoi nga Shoqata Indiane e Kriketit që të vendoste fjalën ‘Bharat’ në uniformat zyrtare të ekipit.

“India është emri i dhënë nga britanikët dhe ka ardhur koha për t’u kthyer në emrin tonë origjinal ‘Bharat’,” tha ai.