OKB nderon me çmimin "Global Citizen" Scholz dhe Zelensky
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky janë ndër figurat e njohura që do të nderohen me çmimin “Global Citizen” të Këshillit Atlantik gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, sekretarja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen dhe kryetari dhe shefi ekzekutiv i “First Eastern Investment Group”, Victor Chu, do të marrin gjithashtu çmimin nga Këshilli Atlantik, një organizatë joqeveritare e dedikuar për promovimin e marrëdhënieve transatlantike.
“Scholz do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë vizitës së tij në Nju Jork nga 17 deri më 20 shtator”, tha sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
“Kancelari gjerman do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën e Rusisë në Ukrainë, dhe në një samit për klimën”, tha zëdhënësi.
Ka të ngjarë që edhe Zelensky të udhëtojë në Nju Jork, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Çdo vit, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, çmimi “Global Citizen” u jepet individëve të cilët kanë kontribuar në nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëritë e tyre, dhe që mishërojnë angazhimin për bashkëpunimin ndërkombëtar. Çmimet do të jepen gjatë një darke gala më 20 shtator.


