Armët, Putin me sytë nga Koreja e Veriut. Kim Jong Un drejt Rusisë me tren të blinduar
Pas Kinës, Moska kthen sytë nga një tjetër vend mik, në përpjekjen për të siguruar ndihmën e nevojshme ushtarake për luftën në Ukrainë. Lideri autoritar i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, planifikon të udhëtojë drejt Rusisë, këtë muaj, për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin.
Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara, që citohet nga mediat amerikan, deklaroi se dy udhëheqësit, do të diskutonin mbi mundësinë që Peniani t’i sigurojë Moskës armatime. Takimi i mundshëm vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se ka informacione të reja se negociatat për armë mes Rusisë dhe Koresë së Veriut po avancojnë, pasi ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Penianin në korrik, në përpjekjet për të bindur shtetin komunist t’i shesë Moskës municione artilerie.
Kjo ishte hera e parë që Kim Jong Un i hapte dyert e vendit miqve të huaj që prej pandemisë së Covid-19. Që prej atëherë, Putin dhe Kim kanë shkëmbyer letra duke u zotuar të rrisin bashkëpunimin dypalësh, siç bëri të ditur zyrtari amerikan John Kirby, javën e kaluar.
“I bëjmë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë menjëherë nga negociatat për armët me Rusinë dhe t’i bindet angazhimeve publike që ka bërë, për të mos i shitur apo siguruar armë Rusisë”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Vendndodhja e saktë e takimit të planifikuar mes Kim Jong Un dhe Putin nuk është e qartë. Burime thanë për “Neë York Times” se Kim Jong Un me shumë gjasë do të udhëtonte me tren të blinduar.
