Berisha: I përgjigjemi pozitivisht ftesës, do të marrim pjesë në tryezën e thirrur nga Bardhi
Nga hyrja e Kuvendit, Sali Berisha u shpreh se ky parlament është i ngritur mbi krimin, drogën, është parlamenti i vetëm në Europë në të cilin vjedhja, krimi, droga shndërrohen në votë.
Berisha shtoi se do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Gazment Bardhi ditën e nesërme, duke e konsideruar si një hap pozitiv nga ana e tij.
Berisha: Theksova edhe në parlament, theksoj përsëri se ky parlament është i ngritur mbi krimin, drogën, është parlamenti i vetëm në Europë në të cilin vjedhja, krimi, droga shndërrohen në votë dhe vota shndërrohet në krim. Është institucion i fatkeqësisë kombëtare, është institucion që të vetmin vendim që ka marrë, ka dyfishuar rrogat e tij, është institucion i cili ka kaluar me dhjetëra vendime të lotuara nga krimi dhe grupet kriminale, është institucion i cili ka bllokuar të gjitha nismat me rëndësi kombëtare. Nuk ka lejuar rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe trojet shqiptare.
Është institucion i cili me qëndrimet e tij, jo që nuk i shërben integrimit, por i shërben dezintegrimit të Shqipërisë në BE dhe e lë në vend numëro. Është institucion i cili siç e dëgjuat përpiqet të përligjë gjithçka antikushtetuese, antiligjore të qeverisë dhe të mbulojë krimet e saj. Po do të marrim pjesë. Ne shkojmë aty dhe do të marrim pjesë. Edhe ftesën e konsiderojmë hap pozitiv dhe ne do të marrim pjesë. Do ti mësoni që të gjitha në kohën e duhur, por ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës.

