Italia kujton sot Gjeneralin Antimafia Carlo Alberto Della Chiesa

"E gjithë shoqëria italiane duhet të ndjehet e përfshirë, institucionet, agjencitë edukues, bota e shoqatave, në luftën kundër mafias".

Mes këtyre fjalëve Presidenti Italian Sergio Mattarella ka kujtuar një ngjarje tragjike të historisë së këtij vendi, ekzekutimin nga mafia në Palermo të Gjeneralit Carlo Alberto Della Chiesa. 

Ndodhi 41 vite më parë më 3 shtator 1982 e bashkë me të humbi jetën bashkëshortja e tij Emanuela Setti Carraro, e truproja Domenico Russo.

"I emëruar Prefekt i Palermos, ai mundi të sillte përvojën e çmuar të fituar në detyrat e tij të mëparshme, duke luftuar me vendosmëri, në një kontekst veçanërisht të vështirë, për afirmimin e vlerave të ligjshmërisë. Carlo Alberto Dalla Chiesa e kuptoi potencialin e Administratës Publike për të përballuar, së bashku me punën e gjyqësorit dhe forcave të policisë, pretendimet kriminale për të kontrolluar territoret", shprehet në mesazhin e tij numri 1 i shtetit italian.

Carlo Alberto Della Chiesa mori detyrën si Prefekt i Palermos më prill të 1982, e gjatë muajve të punës së tij u ankua për mangësi "fuqi speciale" të premtuara nga qeveria për të luftuar mafien.

U ekzekutua nga mafia siciliane Cosa Nostra më ora 21.15 të datës 3 shtator 1982 me një breshëri lumbash kalashnikov në automjetin ku po udhëtonte me bashkëshorten e truprojën e tij.

Urdhërues të këtij antentati, e dënuar me burgim të përjetshëm qenë bosët mafiozë; Toto Rinna, Bernardo Provenzano, Bernardo Brusca, Michele Greco, Pipo Calo e Nene Geraci.

Në mesazhin përkujtimor sot 41 vite nga kjo vrasje, Presidenti Italian fton në një sensibilizim të shoqërisë italiane e të institucioneve ndaj fenomenit mafia.

"Shembulli i tij sot, shprehet Mattarella, sfidon ndërgjegjen qytetare dhe përgjegjësinë personale të atyre që mbajnë funksione publike, të thirrur për të krijuar një efektiv pengesë kundër paligjshmërisë, korrupsionit dhe infiltrimit kriminal në strukturën administrative dhe ekonomike. Dyzet e një vjetori i sulmit në via Isidoro Carini thërret të gjithë vendin në një përpjekje të përbashkët në luftën kundër mafies. E gjithë shoqëria italiane duhet të ndihet e përfshirë: institucionet, agjencitë arsimore, bota e shoqatave. Nga kontributi i të gjithëve, nga efektiviteti i veprimeve të kontrastit dhe parandalimit, nga sythat e ndërgjegjësimit që shoqëria, familjet, shkollat, sektori i tretë do të mund të lulëzojnë tek brezat e rinj, varen afirmimi i qëndrueshëm i kulturës së ligjshmërisë dhe zhvillimi i perspektivave të qëndrueshme për përparimin ekonomik dhe social."

Në kujtim të kësaj ngjarje është shprehur dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila shkruan se "Gjenerali Della Chiesa qe shembull i integritetit e kurajës dhe i të gjithë shërbëtorëve të shtetit që dhanë jetën për të çliruar Italinë nga kanceri mafia.

Vajza e Gjeneralit Carlo Alberto Della Chiesa, gazetare e prezantuesja e njohur televizive Rita Della Chiesa është sot Deputete në Parlamentin Italian me Partinë Forza Italia.