Të vrarët në komunizëm, familjarët e të përndjekurve politikë kërkojnë bashkëpunim për gjetjen e trupave

Bashkëpunimi për të gjetur trupat e personave të vrarë gjatë regjimit komunist ishte në qendër të diskutimeve në ditën ndërkombëtarëve të të zhdukurve  të mbajtur në Shkodër. Familjarë të përndjekurve politikë, përfaqësues të autoritetit të dosjeve dhe klerikët theksuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit për gjetjen e gjurmëve.

Shkodra mban numrin më të lartë për zonat e dyshuara të vendvarrimeve.

Gentiana SULA, Kryetare e Autoritetit të Dosjeve tha: "Shkodra ka pasur disa raportime të rëndësishme në institucionin tonë. Është raportimi i shoqatës së ish të përndjekurve politikë, disa qindra qytetarë të pagjetur. Janë 13 aplikime nga familjarë dhe një raportim që na vjen nga kisha".

11 persona të familjes Ashta janë pushkatuar nga regjimi komunist dhe 3 prej tyre nuk dihet se ku prehen. Ndaj thirrja e trashëgimtarëve është për të vepruar.

 "Unë tek shteti shpresoj pak se u bënë 30 e sa vite dhe nuk ka asgjë serioze", tha një trashëgimtar i familjes Ashta.

Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, tërhoqi vëmendjen për neglizhencë.

Imzot Angelo MASSAFRA, Arqipeshkv i dioqezës Shkodër-Pult tha: "Duhet të angazhohet shteti që të dihet ku janë varrosur këta njerëz".

Janë mbi 4 mijë persona të vrarë pa gjyq dhe për të cilët mbetet mister se ku janë varrosur. Po ashtu dhe për shumë të burgosur që kanë ndërruar jetë  familjarëve nuk u është bërë e ditur se ku janë vendosur.