Escobar në Maqedoninë e Veriut: Vendi të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilloi këtë të premte një takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.

Vizita vjen në kulmin e debateve që po zhvillohen në kuvend për ndryshimet kushtetuese. për miratimin e rishikimit të ligjit themeltar të shtetit duhen të paktën 80 vota por deri më tani asnjë nga palët nuk i ka siguruar.

“Uashingtoni zyrtar shprehu pritjen se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë. Në këtë drejtim, në takim u diskutua për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të përparuar në procesin e integrimit në BE”, thonë nga Kabineti i Presidentit Pendarovski, sipas Alsat.

Bisedimet me Escobar  do të vijojnë të shtunën edhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me kreun e opozitës.

Departamenti Amerikan i Shtetit më herët gjatë ditës ka deklaruar se zëvendësndihmës sekretari Gabriel Eskobar shpreson në diskutime produktive me përfaqësuesit politik në vend.

“Eskobar udhëton në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale dhe për të vazhduar të forcojë partneritetin tonë me një aleat të vlerësuar të NATO-s. Ai pret me padurim diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë gjatë vizitës së tij, veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues.