Gazeta britanike “përgjon” trafikantët shqiptarë, detajet se si kalojnë emigrantët në Kanalin Anglez
Britanikja Express zbardh bisedat telefonike të trafikantëve shqiptarë dhe zbulon detaje sesi bëhet kalimi i emigrantëve përmes kanalit anglez. Në një reportazh të gjatë ajo shkrua se Trafikantët e njerëzve marrin 3500 paundë për person.
Një investigim i gazetës britanike “Daily Express”, ka faktuar se trafikantët e klandestinëve që hyjnë ilegalisht në Britani, po vazhdojnë aktivitetin pavarësisht masave të deklaruara kundër këtij fenomeni.
Sipas gazetës, kontrabandistët shqiptarë po përdorin numra telefoni në Mbretërinë e Bashkuar për organizimin e kalimeve të paligjshme përmes Kanalit mes Francës dhe Anglisë.
Gazetarët mësuan se bandat po marrin 3500 paundë për një person për kalimin në Kanal dhe po koordinohen përmes një bashkëpunëtori në Mbretërinë e Bashkuar.
Artikulli përshkruan se një prej personave të kontaktuar nga gazetarët ishte i gatshëm të kontrabandonte fëmijë të pashoqëruar në Britani dhe ofroi zbritje çmimi prej 500 paund për një djalë pesëmbëdhjetë vjeçar.
Duke u paraqitur si të afërm të një familjeje shqiptare që dëshiron të vinte në Angli, gazetarët kontaktuam me disa trafikantë që reklamonin shërbimet e tyre në mediat sociale.
Një nga kontrabandistët kishte publikuar videot e emigrantëve që hipnin në gomone, ku shkruante "Niset sot, çmimet më të mira, vetëm dy orë larg" dhe "Ne pranojmë familje… grupe me më shumë se 5 persona”.
Daily Express thotë se trafikantët mund të gjejnë anëtarët e familjes për të kërcënuar ose zbuluar se ku mund të ishte fshehur një emigrant nëse ai nuk paguante.
Sipas gazetës, shpesh pagesa për kalimin ilegal me gomone, bëhet pas zbritjes së klandestinëve në Britani ndërsa një prej trafikantëve ka thënë se paratë transferohen lehtësisht në Shqipëri.
Të dhënat e Home Office, tregojnë se nga qershori 2022 deri në qershor 2023, 11,790 shqiptarë kërkuan azil në Britani, duke u renditur të parët, ndërsa të dytët ishin afganët, me rreth 10 mijë kërkesa.
Kryeministri britanik ka pranuar së fundi, se frenimi kalimit të emigrantëve të paligjshëm me gomone nga La Manshi në mbretërinë e bashkuar, nuk është diçka që merr fund për një kohë të shkurtër.
