Pavarësia e Ukrainës në Tiranë bën bashkë kampet politike, jepen mesazhe paqeje dhe solidariteti

Këto imazhe nga Ukraina janë shpërndarë në të gjithë botën për të dëshmi e krimeve gjatë aksionit rus që ka hyrë në vitin e dytë!

Ndërsa këto tablo të realizuara kryesisht nga të rinj veç dramës së një populli dhe luftës për liri paraqesin shpresën e një kombi për jetuar të lirë!

Ekspozita Krimet e luftës së Rusisë u çel në Tiranë në 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës që përkoi në ditën e 547-të të luftës.

Shqipëria që në fillim ka treguar solidaritet dhe mbështetje për Ukrainë, qëndrim që ka bërë bashkë të gjitha krahët e politikës dhe shoqërinë.

Ish-kryeministri demokrat Sali Berisha dhe ministrja Elisa Spiropali si përfaqësuese e qeverisë ishin mes diplomatëve dhe përfaqësuesve jetës social ekonomike të vendit, në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë!

Ambasadori falenderoi Shqipërinë për Solidaritetin, ndërsa theksoi një mesazh që Ukraina i dërgon botës përmes dokumentarit "Përtej paqes",

“Asnjë nga njerëzit e vetëdijshëm nuk besoi në mundësinë e një lufte të tillë, por ajo jo vetëm që ka filluar, lufta po vazhdon dhe askush nuk mund të formulojë aktualisht një parashikim adekuat për përfundimin e saj. Ukrainasit nuk dorëzohen! Ukrainasit besojnë pa kushte në fitoren ndaj pushtuesit rus! Ukrainasit vazhdojnë të mbrojnë pavarësinë e shtetit të tyre, integritetin e tij territorial dhe vlerat demokratike me çmimin e jetës së tyre! Për shkak të përvojës sonë të hidhur dhe tragjike, sot paralajmërojmë botën se ndalimi i një politike kaq ekspansive dhe agresive të diktatorëve është i mundur vetëm së bashku."

Miliona ukrainas kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve ruse që sipas të dhënave të OKB u ka kushtuar jetën gati 10 mijë civilëve.