Ukrainë: Tre civilë të vrarë nga një sulm rus në Donetsk

Tre civilë u vranë sot në një sulm të artilerisë ruse në fshatin Torske në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, siç raportohet nga agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.

Bëhet fjalë për dy gra dhe një burrë, të moshës 63-88 vjeç, të cilët kanë vdekur në sulmin e ndodhur në orën 18:50, sipas të njëjtit burim.

Rreth gjysmë ore më vonë, fshati Zakytne u vu në shënjestër të forcave ruse, ku u raportua i plagosur një 26-vjeçar banor.

Ndërkohë, ushtria ukrainase tha gjatë ditës më 22 gusht se forcat e saj e çliruan një fshat strategjik në jug të vendit, pas dy muajve luftimesh të ashpra, por se Rusia i vazhdoi sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës, duke e vrarë të paktën një person dhe duke i lënduar disa të tjerë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se trupat ukrainase e çliruan Robotinin, një fshat që gjendet përgjatë një rrugë të rëndësishme e cila çon drejt Melitopolit në rajonin Zaporizhja.