Mbreti Felipe VI i Spanjës nis bisedimet për formimin e qeverisë

Mbreti Felipe VI ka nisur sot konsultimet me liderët e partive politike të Spanjës për të parë se cila prej tyre ka shansin më të mirë për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve kombëtare jopërfundimtare, muajin e kaluar.

Zgjedhjet e 23 korrikut nuk arritën një koalicion me një rrugë të qartë drejt pushtetit. Partitë e së majtës dhe të djathtës morën pothuajse një numër të barabartë vendesh.

Mbreti nisi bisedimet me përfaqësuesit e disa partive më të vogla. Ai pritet të mbyllë seancat nesër, dhe të presë në një takim kryeministrin në detyrë Pedro Sánchez, Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle e të cilit rezultoi e dyta në zgjedhje dhe Alberto Núñez Feijóo, Partia Popullore e qendrës së djathtë e cila fitoi më shumë vota.

Të dy Feijóo dhe Sánchez shpresojnë të marrin mandatin për të formuar një qeveri, por mbetet për t’u parë se cili prej tyre mund të mbledhë një shumicë absolute prej 176 votash në parlamentin 350-vendësh të Spanjës.

Socialistët e Sánchez, Sumar (Forcat e Bashkuar) e qendrës së majtë dhe katër parti më të vogla së bashku fituan 171 vende. Partia Popullore, partia e ekstremit të djathtë Vox dhe dy parti më të vogla siguruan gjithsej 172 vende.

Shumica e ligjvënësve në parlamentin e ri votuan të enjten për të zgjedhur një kandidat socialist si kryetar të Kongresit të Deputetëve, duke i dhënë frymë aspiratave të Sanchez.

Megjithatë, socialistët duhej të mbështeteshin në 14 vota nga dy parti separatiste me qendër në rajonin e Katalonjës të Spanjës, duke përfshirë shtatë nga Junts (Së bashku), një parti e udhëhequr nga politikani i arratisur katalanas Carles Puigdemont, i cili u largua nga Spanja pasi udhëhoqi një protestë te pasuksesshme e vitit 2017 që rajoni të shkëputej nga pjesa tjetër e vendit.

Junts theksoi se votimi i së enjtes ishte vetëm për postin e kryetarit dhe nuk tregoi se partia do të mbështeste Sanchez për një mandat tjetër si kryeministër.

Nëse partia përfundon duke premtuar mbështetjen e saj për Sanchez, Puigdemont, i cili jeton në Bruksel dhe përballet me akuza penale në Spanjë, do të jetë në gjendje të përcaktojë kursin e politikës së Spanjës për katër vitet e ardhshme.

Fushata e Partisë Popullore për zgjedhjet e muajit të kaluar u përpoq të bindte votuesit se Sánchez ishte shumë afër separatistëve.

Pasi mbreti zgjedh një udhëheqës, kryetari i dhomës cakton një datë për një votim parlamentar. Nëse kandidati nuk arrin të sigurojë mbështetjen e ligjvënësve, fillon një numërim mbrapsht dymujor drejt zgjedhjeve të reja. Gjatë asaj kohe, një lider tjetër partie mund të përpiqet të mbledhë votat për të formuar qeverinë.