Manastirliu: Drejt përfundimit faza e parë e investimit në Maternitetin "Koço Gliozheni"

Në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë është drejt përfundimit faza e parë e investimit për rehabilitimin e Urgjencës, Qendrës së Gruas, si dhe ngritjen për herë të parë të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar.

Zgjerimi i këtyre shërbimeve do të garantojë një standard të ri për nënat dhe të porsalindurit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë maternitet.

“Nga pikëpamja e përmirësimit të infrastrukturës dhe ambienteve pritëse të këtij spitali , por mbi të gjitha urgjencës dhe qendrës së gruas, ky spital organizohet tashmë pas këtij investimi me një strukturë të re pritëse, shërbimi dhe një strukturë të përmirësuar të gjithë infrastrukturës duke siguruar kështu një ambient pritës për qytetarët dhe familjarët. Por nga ana tjetër edhe një organizim më të mirë të qendrës së gruas, me të gjithë pajisjet dhe mjetet e nevojshme”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “Qendra e Riprodhimit të Asistuar brenda këtij viti do të fillojë të bëhet operacional. Jemi duke punuar për investimin sa i përket strukturës dhe më tej pajisjes biomjekësore dhe paketën e barnave, që janë të nevojshme për të filluar prodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike ashtu si kemi premtuar.

Jemi duke punuar edhe për përgatitjen e stafit dhe fuqizimit të kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi edhe një ekip të mirë trajnuar”.

Vizioni ynë, vijoi Manastirliu, është shtrirja e këtij projekti edhe në maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se kemi përfunduar edhe manualin e procedurave sa i përket kujdesit për nënën dhe fëmijën, që do e prezantojmë së shpejti.

“Ky manual është përgatitur nga mjekët obstetër gjinekologë, mjekët pediatër, mjekët neonatologë, të cilët janë kujdesur që te kemi një paketë të plotë të shërbimit shëndetësor, e cila do të ofrohet nga kujdesi parësor dhe mjekët pediatër të konsultoreve tona”, shtoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “shpresoj që t’ia dalim që brenda tetorit të përfundojë faza e parë e investimit dhe më pas deri në dhjetor edhe faza e dytë”.

Investimi në maternitetin “Koço Gliozheni” është pjesë e investimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës në maternitete.