OBSH zhvillon samitin e parë global për mjekësinë popullore, 40% e produkteve farmaceutike kanë bazë bimë natyrale
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar samitin e parë global për mjekësinë tradicionale, ose mjekimet popullore.
“Partnerët globalë u angazhuan të avancojnë praktikat për mjekësinë tradicionale, plotësuese dhe integruese të bazuar në prova” ka bërë të ditur OBSH.
Ministrat e shëndetësisë nga G20 dhe vende të tjera, shkencëtarë, praktikues të mjekësisë tradicionale, nga 88 vende të ndryshme morën pjesë në takimin dy ditor në Indi. Qëllimi i Samitit është nxitja e veprimit të përbashkët global për një planet me njerëz më të shëndetshëm, thuhet në deklaratën e OBSH, ku shtohet se rreth 40% e produkteve farmaceutike sot kanë një bazë me bimë natyrale dhe barnat e rëndësishme rrjedhin nga mjekësia tradicionale, duke përfshirë aspirinën, artemisininën dhe ilacet që luftojnë kancerin në fëmijëri.
Hulumtimet e reja përfshijnë inteligjencën artificiale teksa po rritet numri i industrive të ilaçeve bimore.
Gjetjet e ndara në Samit tregojnë se rreth 100 vende kanë aktualisht politika dhe strategji kombëtare të lidhura me trajtimet tradicionale, ndërsa në shumë shtete anëtare të OBSH, këto trajtime janë pjesë e paketave të shërbimeve shëndetësore dhe mbulohen nga skemat kombëtare të sigurimit.
Sipas organizatës, një pjesë e madhe e njerëzve kërkojnë ndërhyrje të mjekësisë tradicionale për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të patransmetueshme

