Filmi "Sirin", një bashkëprodhim ballkanik, premierë botërore në Festivalin e Sarajevës
“Sirin”, bashkëprodhimi i fundit filmik mes Malit të Zi, Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Francës, pati premierën botërore në edicionin e 29-të të Festivalit të Sarajevës.
Filmi “Sirin” me regji nga Senad Sahmanovic dhe skenar të Claudia Bottino, u shfaq për herë të parë në ekranin e madh (Open air Cinema), në edicionin e 29-të të Festivalit të Sarajevës.
Sirin është prodhuar nga CUT UP Production , Sekvenca, On FILM Production, Buka Production, Dokument, APC, dhe është mbëtetur financiarisht nga Filmski centar Crne Gore, Hrvatski audiovizualni centar (HAVC), Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Kinematografike e Kosoves , Fondacioni Kinematografik i Sarajevës dhe Eurimages.
Filmi rrëfen mbi fatin e Natalisë, e cila u largua nga ish-Jugosllavia menjëherë pas fillimit të luftërave të viteve 1990.
Si shumë njerëz të tjerë nga kjo zonë, ajo emigroi jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhmeje më të sigurt.
Pas disa vitesh të kaluara jashtë vendit, duke dashur të përshtatet plotësisht me jetën në një mjedis të ri, ajo dëshironte të ndryshonte identitetin e saj dhe të fshinte origjinën e saj.
Një çështje e pazakontë ligjore në lidhje me trashëgiminë e një gruaje të moshuar të pasur që nuk kishte familje do ta kthejë atë në vendin e saj të origjinës, Malin e Zi.



