Seminari i Gjuhës Shqipe në edicionin e 41-të të tij, në fokus ruajtja dhe zhvillimi i saj

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka hapur edicionin e 41-të të tij. “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi” ishin temat që sipas folësve janë të domosdoshme për tu trajtuar.

“Seminari ka një rendësi jetike për shkencat gjuhësore në tërësi e për shqipen tonë në veçanti. Besoj fuqishëm se kjo është mënyrë optimale për të ecur përpara drejt ruajtjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e vlerësoi seminarin si ngjarjen më të madhe shkencore.

 “Ky seminar kësisoj konsiderohet një dritare e hapur e lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, është ura e krijimit të miqësive dhe e marrëdhënieve dhe marrëveshjeve të reja, është auditoriumi ku janë paraqitur shumë rezultate të rëndësishme shkencore dhe janë diskutuar e shqyrtuar e testuar tema të mëdha që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën dhe të kaluarën e saj monumentale.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së saj.

“Në një epokë të karakterizuar nga globalizmi dhe përparimet teknologjike rëndësia e ruajtjes së gjuhëve dhe nxitjes së shkëmbimit kulturor nuk ka qenë kurrë më kritike. Gjuha shqipe me origjinë të saj të lartë dhe veçoritë gjuhësore unike është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së një populli. Megjithatë pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimet me zhdukje pasi forcat moderne dhe lidhjet globale po lënë në hije rëndësinë e saj. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi por një sferë e tërë letrare që kanë pasuruar kuptimin tonë kolektiv të përvojës njerëzore”,

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë.