"Gruaja e thyer" në Pogradec, Adriana Tolka: Është fenomen jo vetëm në Shqipëri, por mbarëbotëror
Adriana Tolka ka nisur udhëtimin në zonat turistike duke interpretuar për pushuesit dhe banorët shfaqjen “Gruaja e thyer” të Simone de Beauvoir.
Me regjinë e Endri Çelës interpretimi duket aktual për realitetin shqiptar duke i veshur mizanskenat dhe veprimet ekstreme.
Tolka përcjell emocionet dhe mesazhet e shfaqjes.
"Është një shfaqje shumë humaniste mendoj sepse tregon vetminë e njeriut, shkëputjen e njeriut nga bota, lënien mënjanë. Mund të ishte farë mirë një burrë i thyer, titulli i veprës sepse vepra është humaniste.
Është fenomen jo vetëm në Shqipëri por mbarë botëror që sot në fund të fundit njeriu është i vetmuar dhe njeriu i vecuar nga shoqëria dhe i lënë pas dorë prej saj është një fenomen tashmë mbarë botëror.
Mungesa e empatisë së shoqërisë nga individi, por edhe vetë individi që nuk gjen dot mënyrën për tu integruar në shoqëri", u shpreh ajo.
Regjisori me ndihmën e skenografisë së Beqo Nanajt e kostumografisë së Sofi Karajt përcjell mesazhet e forta.
"Gruaja e Thyer është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental. Një bashkëprodhim me ambasadën Franceze në kuadër të pranverës frankofone.
Ka një mbështetje të madhe nga frankofonia për shkakun se është një pjesë letrare e Simone de Beauvoir, një autore kaq të madhe", u shpreh ai.
Pas Pogradecit trupa do të vijojë turin drejt Sarandës.



