Shkrumbohen pishat e Gjallicës/ Mbi 20 ha janë djegur, helikopteri dhe shiu izoluan flakët

Mali i Gjallicës vijon të digjet prej dy javësh. As reshjet e shiut dhe as helikopteri nuk kanë mundur të shuajnë zjarret që kanë shkrumbuar rreth 20 hektarë në një lartësi prej 2 mijë metrash mbi nivelin e detit

Rreth 20 hektarë me pisha janë shkrumbuar në malin e Gjalicës në Kukës.

Pavarësisht rehjeve të shirave në dy ditët e fundit, flakët duket se nuk janë shuar.

Por edhe ndërhyrja nga toka konsiderohet e vështirë, pasi flakët vijojnë të shkrumbojnë në një lartësi deri në rreth 2 mijë metra mbi nivelin e detit.

Në këtë situatë edhe mbërritja e efektivëve konsiderohet e pamundur.

Bëhet fjalë për një terren të thepisur ku edhe pishat nuk janë të dendura dhe me një bimësi të rrallë.

Por zjarrëfikësit shtojnë se për shkak të shtresës së tapetit halor të thatë në shtresën e tokës situata bëhet edhe më e vështirë.

Një tjetër efekt është dhe krijimi i vatrave në trungjet e mëdhenj, ku menjëherë pas pushimit të reshjeve rikthejnë flakët

Prej 25 korrikut në zonë vijon që të hidhet ujë me helikopter duke izoluar zonën, por pa mundur ta shuajë përfundimisht