Berisha mbledh të premten Këshillin Kombëtar: Dosja zgjedhore do i dorëzohet ndërkombëtarëve

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka njoftuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të premten në orën 19:00. Objekti i mbledhjes do të jetë fillimi i procesit të analizës për zgjedhjet e 14 majit dhe miratimi i dokumenteve si konkluzione të mbledhjes.

Menjëherë pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha me grupimin e tij të rithemelimit nisën analizën sa i përket arsyes së humbjes së 54 bashkive dhe marrjes së vetëm 7 prej tyre.

Manipulimi i zgjedhjeve ishte kryefjala e përdorur nga opozitarët e Berishës, teksa dhanë dhe provat e tyre për shitblerje të votës, votim familjar si dhe presion ndaj votuesve.

Pas kësaj analize të bërë dhe pas denoncimit për atë ç’ka grupimi i rithemelimit e cilëson si “farsa zgjedhore” Berisha do të vijojë me takimet me demokratët ku dhe do të bëhet analiza e brendshme e krahut të tij politik.

Të premten në orën 19:00 ish-kryeministri ka thirrur Këshillin Kombëtar. Objekt i mbledhjes do të jetë pikërisht miratimi i këtyre dokumenteve dhe provave që koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka mbledhur.

Ndërkaq Berisha tha në mbjedhje e kryesisë, se raporti i “Rithemelimit” për farsën zgjedhore të 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve dhe do ju dorëzohet kancelarive perëndimore.

Ai tha se në këtë raport është drama e një kombi të cilit ju mohua e drejta e votës dhe se ky raport fakton se kryeministri Rama është angazhuar që ta bëjë atë procesin zgjedhor më të pabarabartë që Shqipëria kishte parë ndonjëherë nga viti 1990 deri më sot.