Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, Meta: Akt i vonuar!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat u ndal te sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës nga SPAK.
Meta u shpreh se inceneratori i Tiranës, bashkë me atë të Fierit dhe Elbasanit janë kryevepra kriminale nga qeveria e ‘Rilindjes’ dhe se vendimi i SPAK ishte i vonuar, pasi faktet kanë qenë aty të mundësua edhe nga PL-ja. Sakaq tha se me paratë e inceneratorëve kryeministri Edi Rama bleu dy palë zgjedhje.
“Faktet janë paraqitura nga ana jonë. Kjo është kryevepra kriminale që ka ndodhur në vendin tonë dhe që është toleruar në një kohë të gjatë. Këtë lajm të fundit e vlerësojmë të vonuar.
Dua të nënvizoj se të tre çështjet, Tirane, Elbasan dhe Fier janë një çështje dhe kemi të bëjmë me një aferë të ideuar dhe implementuar nga një grup i strukturuar kriminal.
Rilindja, si organizatë ka blerë 2 palë zgjedhje dhe paratë i përdori për të deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe për të shkatërruar profesionalizmin e mediave në Shqipëri”, u shpreh Meta.
DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË TË LIRISË, ZOTIT ILIR META
1. Prej kohësh zëri legjitim i shoqatave të biznesit prodhues edhe eksportues ka rënë vesh të shurdhët të Qeverisë dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse, përfshirë dhe Kuvendin.
2. Shqetësimi i drejtë i tyre për zhvlerësimin spekulativ dhe të qëllimshëm të Euros është një këmbanë alarmi për ekonominë tonë dhe për zhvillimin e vendit.
3. Viktimat e këtij spekulimi janë shumica e qytetarëve dhe e bizneseve të ndershme shqiptare duke pasur parasysh nivelin e lartë “euroizimit” të ekonomisë shqiptare.
4. Qindra mijëra qytetarë po vuajnë rënien e fuqisë blerëse me rreth 15% për 1 vit. Gjithashtu edhe kursimet e mijëra familjeve - shumica e të cilëve i kanë në valutën Euro - u janë zhvlerësuar pasuria e tyre me rreth 15%.
5. Prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë jo vetëm që u janë zeruar fitimet por po humbasin tregjet ndërkombëtare dhe po u falimentojnë bizneset e tyre. Për rrjedhojë me dhjetëra mijëra punonjës kanë humbur dhe pritet të humbasin vendin e punës.
6. Ajo çfarë është e patolerueshme deri në kufijtë e kriminales është cinizmi i Qeverisë për ta paraqitur këtë çështje si axhustim i tregut të punës apo duke bërë thirrje për të përmirësuar konkurrencën.
7. “Taksës” shtesë të zhvlerësimit të Euros i shtohet edhe kostot e rritura me të pakten 30% të krahut të punës. Në këto kushte falimentimi i bizneseve është i pashmangshëm.
Mbiçmimi i lekut po sjell pasoja negative në të gjithë ekonominë. Mbiçmimi i lekut ka ulur vëllimin e eksporteve, ka përkeqësuar bilancin e pagesave dhe do të ketë pasoja negative në rritjen ekonomike.
Gjithashtu mbiçmimi i lekut ka goditur familjet përfituese të remitancave, kreditorët individë, si dhe bizneset, eksportuesit, si dhe të gjitha aktivitetet e tjera, kontratat e të cilave janë në monedhën Euro.
Vështirësitë e jashtëzakonshme që po kalon industria fason, si dhe ajo eksportuese në përgjithësi është një goditje në prodhimet “Made in Albania”, me efekte negative në familimentimin e këtyre aktiviteteve dhe rritjen e numrit të të papunëve.
Qeveria për fat të keq nuk rezulton të merret aspak me ndikimin negativ në ekonomi të mbiçmimit të lekut dhe falimentimin e kompanive eksportuese.
Ekonomia jonë vazhdon të jetë atraktive për koston e ulët të krahut të punës. Dhe kjo do të vazhdojë për disa kohë pasi edhe strukturimi i ekonomisë do të marrë kohë.
Duhet t’i jepet fund menjëherë indiferencës dhe papërgjegjshmërisë.
Qeveria duhet të marrë masa për të mbështetur dhe kompensuar në një masë të arsyeshme, si politikë e menjëhershme për humbjet që kanë aktiviteti i industrisë fason dhe eksportuesve për humbjet për shkak të mbiçmimit artificial dhe të qëllimshëm të lekut.
Qeveria duhet të mos miratojë politika diferencuese fiskale, që do të thotë të lehtësojë fiskalisht industrinë fason, si dhe esportuesit si ka vendosur për të lehtësuar aktivitetin e investimeve automative.
Qeveria duhet në mënyrë të veçantë të marrë masa të menjëhershme për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave, të kriminalitetit dhe të informalitetit, që është arsyeja kryesore dhe vendimtare pse kemi këtë mbiçmim të lekut.
Qeveria duhet të dëgjojë kërkesën e shoqatës së eksportuesve për krijimin e një grupi pune, për të arritur në një zgjidhje të shpejtë dhe afatgjatë, me qëllim ruajtjen e aktivitetit të këtyre bizneseve.
Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësinë e ndërhyrjes në treg me qëllim të ndalimit të mbiçmimit të mëtejshëm të lekut.
Banka e Shqipërisë të balancojë politikën monetare ndërmjet asaj shtrënguese për të arritur në objektivin e inflacionit, si dhe asaj lehtësuese për të mbajtur ose uljur normat e interesit si një masë shtesë për të ndaluar mbiçmimin e mëtejshëm të lekut.



