Papa Françesku viziton Portugalinë, viktimat shpresojnë që vizita e tij të ‘hedh dritë’ mbi abuzimin seksual të klerikëve
Papa Françesku do të shkojë në një vizitë pesë-ditore javën e ardhshme në Portugali, ku një skandal që shpërtheu në fillim të këtij viti mbi abuzimin seksual në Kishën Katolike është ende në qendër të vëmendjes. Një grup ekspertësh raportoi në shkurt se të paktën 4815 djem dhe vajza portugeze ishin abuzuar që nga viti 1950. Përpara këtyre gjetjeve befasuese, zyrtarë të lartë të kishës portugeze thanë se kishte pasur vetëm një numër të vogël rastesh të tilla.
Pasojat e skandali ende ndjehen në Portugali, ku Papa Françesku do të marrë pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota do të marrin pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga Kisha Katolike.
Filipa Almeida ishte 17 vjeç kur u abuzua seksualisht nga një prift. Ajo qëndroi e heshtur për vite, por më në fund gjeti forcën për të folur dhe shpreson që një vizitë e Papa Françeskut në Portugalinë e saj të lindjes këtë javë do t’i kujtojë botës mijëra krime të ngjashme.
“Kam jetuar me këtë sekret për 22 vjet,” tha 43-vjeçarja për Reuters për sprovën e saj, që ajo tha se ndodhi gjatë një kursi trajnimi fetar. “Nuk është e lehtë të jetosh me këto përvoja”.
Ajo është një nga të paktën 4,815 personat që u abuzuan seksualisht nga klerikët – kryesisht priftërinj – në Portugali mbi 70 vjet, sipas një hetimi të publikuar në shkurt. Komisioni përgjegjës tha se kjo ishte vetëm “maja e ajsbergut” dhe se më shumë se 100 priftërinj të dyshuar për abuzim seksual të fëmijëve mbetën aktivë në rolet e kishës.
Ndërsa Kisha mori listën e të dyshuarve në mars, premtoi se do të hetonte dhe ka pezulluar disa priftërinj, disa të tjerë tashmë janë kthyer në rolet e tyre. Almeida tha se prifti që abuzoi me të nuk u pezullua gjatë një hetimi.