Regjistrimet në universitete, Xhelaj: Mbi 14 000 aplikime deri më sot, priten mbi 20 000 të tilla

Nga nisja e aplikimeve për regjistrimin në universitete e deri më sot janë 14 000 maturantë që kanë aplikuar.

Arjan Xhelaj, Rrjeti Akademik Shqiptarë, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bënë të ditur se aktualisht maturantët janë në fazën e parë të aplikimit për të ndjekur studimet e larta.

“Ndodhemi në fazën e aplikimeve që përfundon në datën 3 gusht dhe deri tani kanë aplikuar mbi 14 mijë maturantë. Pritet që në total të jenë mbi 20 000 maturantë në raundin e parë të aplikimeve”, tha Xhelaj.

Sipas tij, në portalin “UAlbania” janë të gjitha informacionet që u duhen maturantëve për proçesin e ndjekjes së studimeve universitare.

““UAlbania” ka të gjithë informacionin e nevojshëm për maturantët, dhe gjithashtu ka manual, grafik, info, video…etj. Ndërkohë që nga Ministria e Arsimit janë organizuar takime maturantet apo info day”, tha Xhelaj.

Lidhur me degët prioritare, Xhelaj tha se aplikimi edhe në këtë rast realizohet në “UAlbania”.

“Për degët prioritare aplikohet me të njëjtën procedurë në “UAlbania”, maturantët mjafton t’i përzgjedhin ato në formularin A2”, tha Xhelaj.

Kreu i Rrjetit Akademikë Shqiptarë u shpreh se do të ketë dhe rialokim kutoash pas çdo raundi.

“Po, pas çdo përfundim raundi parashikohen sipas udhëzimit rialokim kuotash. Informacionet do publikohen rast pas rasti”, u shpreh Xhelaj për ATSH.