PAMJET/ 4 herë kryetar i PD-së, Basha me bluzë ushtarake shfaqet triumfator: Na presin sfida, nisim direkt punën
Pak minuta pasi u shpall fitues për të katërtën herë si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e PD-së.
Me uniformë ushtarake dhe me një buzëqeshje në fytyrë, Basha ka parakaluar para mbështetësve të tij të cilët nuk i kursyen ovacionet në drejtim të tij.
Ai u zgjodh në krye të PD-së me 16 196 vota.
Ne fjalen e tij, dhe në krah të kundërshtarit të tij në këtë garë Gjergj Hani të cilin e falënderoi për garën, Basha tha se sfida të reja e presin duke shpallur nisjen e aksionit të tij politik.
Basha u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarëve t’i kthehet pushteti.

“Ju falënderoj për mbështetjen dhe pjesëmarrjen tuaj. Demokratët dhe PD pavarësisht të gjitha vështirësive mbeten shpresa e shqiptarëve. Falënderim për strukturat e PD që organizuar një proces shembull dhe të denjë për standardet që kemi shpallur për të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirënjohje për votuesit dhe falënderim i veçantë për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj PD e ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash si i takon garës. Jam i vetëdijshme për sfidat me të cilat ndodhet PD. Lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërteta dhe ca të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë, pa liri, pa barazi para ligjit.

Mbi të gjitha e sotmja nuk shënon votën për një individ, por shënon nisjen e punës dhe puna fillon për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjtë të mosbesimit, urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të shqiptarëve, depresionit psikologjik, ekonomik, mllefit e dëshirës për ndryshim dhe bregut e shpresës dhe besimit që do të sjellë ndryshimin e qeverisjes pavarësisht bindjeve politike. Nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët treguan se jemi gati t’i përvishemi një tjetër beteje. Shqipëria pret që demokratët të kthehen në krye të detyrës për të mbrojtur interesin publik”, tha Basha.
NUMERIMI
Në një komunikim për mediat, Jemin Gjana deklaroi se Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar, dhe bazuar në të dhënat e votimeve në 71 degët e PD, rezultoi se kanë marrë pjesë në votime 18.052 anëtarë të PD, në raport me listën e miratuar.
“Nga 18.052 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, janë gjetur 18.052 fletë votimi në kuti. Të pavlefshme kanë rezultuar 199. Komisioni Elektoral deklaron fitues të zgjedhje për kryetar zotin Lulzim Basha”, tha më tej Gjana.
Ndërkohë Gjergji Hani, i cili ishte në garë me Lulzim Bashën ka marrë vetëm 1657 vota.


