Kryeministri Rama takim dy ditor me ministrat në Tepelenë:Inteligjenca Artificiale si shërbim në institucione

Kryeministri Edi Rama së bashku me kabinetin e tij qeveritar po shikojnë Inteligjencën Artificiale si një nga shërbimet e reja në institucione. Gjatë takimit që po zhvillohet në Tepelenë gjithashtu u diskutua dhe mundësitë e parandalimit të eksodi masiv i ikjes së të rinjve.

Inteligjenca Artificiale po diskutohet me vëmendje nga qeveria si një nga mundësitë më të reja për shërbim në disa nga institucionet kryesore në vend.

“Reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi.”

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në postimin e tij në Facebook, lidhur me takimin që zhvilloi me ministrat e tij në Tepelenë.

Një nga projektet do të jetë dhe përfshirja e inteligjencës artificiale në disa institucione të rëndësishme. Në fotot e publikuara nga kreu i qeverisë, tatimet, prokurimi, e-albania dhe gjykatat duket se së shpejti do të kenë pjesë të shërbimeve dhe formën më inovatore të teknologjisë.

Gjithashtu digjitalizimi i ministrive është në bisedime e sipër. Kryeministria, Ministria e Financave, Bujqësisë, Mbrojtjes, Brendshme, Shëndetësisë dhe Infrastrukturës së shpejti mund të kenë shërbime online.

Por në takimin qeveritar, janë diskutuar edhe problematikat me të cilat po has vendi. Mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë tashmë nuk është vetëm një problem për bizneset por edhe për qeverinë.

Në takimin e kabinetit Rama, një nga temat kryesore ishte dhe mundësitë e parandalimit dhe ndërhyrjet që qeveria duhet të bëjë për mos ikjen e të rinjve jashtë vendit.

Kryeministri Rama aktualisht po zhvillon dhe ditën e dytë të takimit të tij me kabinetin qeveritar. Takim ky i zhvilluar fill pas asamblesë së Partisë Socialiste ku dhe u shkarkuan i gjithë sekretariati i partisë.